Gonzato: Reforma në drejtësi, kontribut të madh në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

“Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë, llogaridhënies dhe ka dhënë edhe një kontribut shumë të madh për ecurinë që ka bërë Shqipëria në rrugën e saj drejt BE”.
Kështu deklaroi ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato gjatë diskutimeve në tryezën “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.
Tryeza kishte në fokus paraqitjen e gjetjeve të një studimi mbi arkitekturën institucionale, performancën dhe integritetin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), me fokus në garancitë për pavarësinë dhe mekanizmat e llogaridhënies.
“Vendimet gjyqësore kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e njerëzve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun e abuzimit me pushtetin. Llogaridhënia pa një pavarësi të garantuar çon në korrupsion dhe pandëshkueshmëri”, u shpreh ambasadori Gonzato.
Megjithatë, sipas tij, ende ka shumë punë për të bërë, përfshirë zbatimin ndërsa inkuraji të gjitha institucionet përkatëse të vazhdojnë punën drejt këtij qëllimi.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë Shqipërinë në këtë rrugëtim të rëndësishëm,” u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij.
Gonzato foli edhe për ecurinë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në vlerësimin e prokurorëve sipas performancës, ndërsa theksoi se kriteret si efikasiteti, etika dhe aftësitë menaxheriale duhet të shqyrtohen në mënyrë të strukturuar.
Ai tha se përgjegjësia për llogaridhënie nuk i takon vetëm KLP-së, por edhe institucioneve si ILD dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilat po forcojnë bashkëpunimin për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë.
“Ndërsa sa i përket raportimit të rregullt nga institucionet e drejtësisë përfshirë SPAK-un, procedurat parlamentare janë të qarta. Përveç këtij viti zgjedhor, raportimi ka qenë gjithmonë në vijimësi”, tha Gonzato.
Natyrisht, shtoi ai, “është prerogativa, parakushti i Kuvendit që të përcaktojë nivelin e angazhimit për këto raporte, që do të thotë që çdo vit Kuvendi miraton rezoluta në të cilat tregohen qartë kushtet dhe hapat që duhen ndjekur në mënyrë që këto institucione të bëjnë raportimet e tyre. Kjo është në dorën e Kuvendit dhe këtë duhet të bëjë Kuvendi”.
Megjithatë, vijoi Gonzato, “kjo lloj llogaridhënie nuk mund të jetë në dëm të pavarësisë së këtyre organeve, sepse legjislatori dhe këto institucione janë të pavarura dhe nuk mund të jenë të varura nga njëra-tjetra”. (11 korrik)